Tre ditë pas hapjes së fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ndodh arrestimi i parë për krimet zgjedhore. Në Lushnje, mbrëmjen e së dielës policia arrestoi 38-vjeçarin Marin Leka që pasi i kishte marrë kartën e identitetit një qytetari, i kishte premtuar atij edhe një shumë parash për t’i blerë votën në interes të një subjekti politik.
Atij iu gjet me vete në xhep edhe karta e identitetit, ndërsa kallëzimi ishte bërë nga Muharrem Toska. Ky i fundit i tha policisë se 38-vjeçari i kishte marrë mjetin e identifikimit pa dëshirën e tij dhe i kishte premtuar shumën prej 500 mijë lekësh të vjetra që ai dhe familjarë të tij të votonin për Partinë Demokratike, shkruan A2 CNN. Por vetë i arrestuari Marin Leka ka dhënë deklarime kontradiktore para agjentëve të policisë. Për një moment ai ka pranuar se po bënte fushatë për Partinë Demokratike, e herë herë përmendte Partinë Socialiste dhe Partinë Social Demokrate të Tom Doshit.
Shtabi Elektoral i PD në qarkun e Fierit, arrestimin e 38-vjeçarit e cilëson sajesë të turpshme dhe manipulim të opinionit publik nga Policia e Shtetit, duke kërkuar hetim të plotë të çështjes.
Sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit as na ndikojnë, as na shfokusojnë nga misioni ynë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje. SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin.
Partia Demokratike
38-vjeçari Marin Leka akuzohet për dy vepra penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”. (A2 Televizion)