Kryetari i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është shprehur se ka pasur kërcënime nga krimi i organizuar për disa prokurorë dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Komentet Dumani i bëri në raportimin e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku tha se Policia e Shtetit ka bërë një punë të mirë në marrjen e masave për ruajtjen e prokurorëve, në rastet kur kërcënohen.
Ai tha gjithashtu se ka një ulje të referimeve nga institucionet publike në SPAK, por që sipas tij, kjo nuk tregon uljen e besueshmërisë së këtij institucioni, shkruan A2 CNN.
Pjesë nga diskutimi:
Erind Gërmenji: Çfarë masash janë marrë nga ju për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit?
Dumani: Korniza ligjore i jep pavarësi të plotë nga presioni i jashtëm. Institucioni është ndeshur herë pas here në sulmet politike, mediatike. Ne nuk jemi ndikuar nga këto sulme. Sa i takon adresimit, i vetmi institucion që ka reaguar dhe ju falënderova, ishte KLP.
Por nuk mund të rri pa përmendur angazhimin e Policisë së Shtetit në sa raste që prokurorët, gjyqtarët apo agjentët e BKH kanë qenë të kërcënuar nga krimi i organizuar.
Sidomos me ndryshimet e dhjetorit 2023, për prokuroret e SPAK është siguruar një mbrojtje më e mirë fizike dhe deri tani Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për ruajtjen e prokuroreve, apo familjarëve të tyre, kur janë ekspozuar nga kërcënime.
Ne kemi ndjekur një strategji, disa prokurorë në çështje, apo disa agjentë, me qëllim pasjen e një grupi kompakt edhe në përballimin e këtyre kërcënimeve.
Erind Gërmenji: Në vlerësimin tuaj, mendoni se SPAK ka humbur besimin e institucioneve publike?
Dumani: Ka një ulje të referimit nga institucionet publike. Kjo nuk ndodh vetëm këtë vit. Ndodhi edhe vitin e kaluar. Nuk e shoh si ulje të besueshmërisë. Ne e vendosim në raport, t'i bëjmë thirrje institucioneve për referime, pasi jemi të gatshëm për bashkëpunim. (A2 Televizion)