Administratori i Përgjithshëm i kompanisë së naftës Bankers, shtetasi kinez HongPing Xiao, si dhe ish-drejtori i po kësaj kompanie Leonidha Çobo do të vijojnë të qëndrojnë në qeli.
Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, pas një seance që zgjati dy ditë, duke lënë në fuqi masat e caktuara më herët nga Gjykata e Fierit. Apeli zbuti masën e sigurisë për Doina Goga, nga arrest në shtëpi në detyrim paraqitje, për shkak të rrethanave familjare si nënë e një fëmijë 2 vjeç.
Ndërsa për tre persona u hoq masa ndalim i daljes jashtë vendit duke u lënë në fuqi vetëm detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Dhjetë të arrestuarit në kuadër të hetimeve për evazionin fiskal të kompanisë së naftës “Bankers Petroleum” u përballën të martën me Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku gjatë mbrojtjes së tyre mohuan akuzat e ngritura nga Prokuroria e Fierit. Seanca zgjati për më shumë se 6 orë.
Dhjetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë janë nën akuzë për disa vepra penale, si “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, shkruan A2 CNN.
Sipas dosjes hetimore, ka dyshime se ata krijuan skema mashtruese nëpërmjet evazionit fiskal duke shmangur detyrimet ndaj shtetit shqiptar, përmes bilanceve vjetore që e shfaqnin aktivitetin e Bankers me humbje.
Përveç 10 personave që janë me masë sigurie në këtë dosje, 4 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim, të cilët janë ish-drejtues të Bankers ndër vite, tre prej të cilëve shtetas kinezë dhe njëri prej tyre kanadez. (A2 Televizion)