Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka rishikuar masat e sigurisë për disa nga të pandehurit në çështjen e njohur si “Dosja Bankers”, duke vendosur lehtësime për një pjesë të tyre.
Në vendimin e dhënë, Apeli la në fuqi masën e arrestit me burg për administratorin e kompanisë, shtetasin kinez HongPing Xiao, si dhe për ish-administratorin Leonidha Çobo.
Nga pesë masa “arrest në shtëpi” të vendosura më herët, u zbut vetëm një, për një prej të dyshuarave, ndaj së cilës u caktua masa “detyrim paraqitjeje”, për shkak të rrethanave familjare, pasi është nënë e një fëmije 2-vjeçar, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, për tre persona të tjerë u hoq masa “ndalim i daljes jashtë vendit”, duke lënë në fuqi vetëm detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në Policinë Gjyqësore. (A2 Televizion)