Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim avokatin Bardhi Koçi, i akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve të drejtësisë në disa raste.
Sipas SPAK, ndaj Koçit janë provuar tre episode të kërkimit të ryshfetit, me qëllim ndërhyrjen në procese gjyqësore. Në kohën e kryerjes së veprave penale, ai mbante edhe funksionin e zyrtarit pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Një nga rastet përfshin qytetaren Pranvera Meshi, e cila i dha 1000 euro avokatit për të ndikuar në një çështje gjyqësore për falsifikim dokumentesh në Gjykatën e Tiranës.
Në dy rastet e tjera, Koçi akuzohet se ka marrë shuma prej 1300 eurosh dhe përfitime të tjera për të ndikuar te gjyqtarë dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, në çështje që lidhen me drejtim të parregullt mjeti dhe sekuestrim të lëndëve narkotike.
Avokati Bardhi Koçi ka qenë fillimisht në “arrest shtëpie”, ndërsa së fundmi Gjykata e Lartë ka zbutur masën e sigurisë në “detyrim paraqitje”. (A2 Televizion)