SPAK vendos të marrë të pandehur kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Një fletëthirrje e Strukturës së Posaçme e dërguar në burgun e Durrësit, kërkon shoqërimin e kryebashkiakut kryeqytetas për t’u paraqitur në SPAK të mërkurën në orën 11:00. Njëkohësisht fletëthirrje i është dërguar edhe avokatëve mbrojtës të kryebashkiakut.
Burime pranë SPAK bënë me dije pwr A2 CNN se Veliajt do t’i komunikohen akuzat e “korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes e mosdeklarimit të pasurisë”.
Komunikimi i akuzave ndryshon statusin juridik të kryebashkiakut, nga person nën hetim në të pandehur. Burimet nuk saktësuan nëse komunikimi i akuzës do të shoqërohet apo jo me përfundimin e hetimit të nisur ndaj tij dhe të bashkakuzuarve, apo nëse hetimi do të vijojë edhe pas zyrtarizimit të akuzave.
Gjatë së martës në SPAK u paraqit biznesmeni Elman Abule, një nga të hetuarit e dosjes “Veliaj”, të cilit ju komunikua akuza e “pastrimit të parave”. Abule shoqërohej nga avokatja e tij dhe në dalje nuk pranoi të komentojë.
Erion Veliaj qëndron në paraburgim prej shkurtit të këtij viti. Në vijimësi ai ka bërë përpjekje për zbutje të masës, por pa sukses. Përpjekja e fundit e tij ishte në Gjykatën e Lartë dy javë më parë, ku nuk mundi të zbuste masës “arrest në burg”. (A2 Televizion)