Hetimi për "21 janarin", Vëllai i Hekuran Dedës 1 orë në SPAK: Kam besim se ngjarja do të zbardhet

Nga A2 CNN
28 Janar 2025, 15:38 | Kronikë

Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës, një prej protestuesve të vrarë para godinës së Kryeministrisë në 21 janarin e vitit 2011, ishte të martën në SPAK. Për gati një orë ai dha dëshminë e tij para prokurorëve të SPAK, që po hetojnë “21 janarin”.

“Ato që na kërkuan i thamë. Shpresojmë se do zbardhet”, tha Zabit Deda në një deklaratë për mediat, shkruan A2 CNN.

Të mërkurën pritet që në SPAK të paraqitet vëllai i tij, Agim Deda, po për llogari të hetimeve për vrasjet gjatë protestës së opozitës së asaj kohe në bulevard. 

Njëlloj si në rastin e të vrarit tjetër, Aleks Nika, vrasja e Hekuran Dedës është një ngjarje e pa zbardhur. Në gjykimin e parë të dosjes “21 janari” për vrasjen e tij u akuzua gardisti Agim Llupo, por Apeli i kryeqytetit e zhveshi nga kjo akuzë, duke e lënë pa autor të dyshuar vrasjen e Dedës.

SPAK regjistroi hetim për “21 janarin” korrikun e vitit të shkuar, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë. Kjo gjykatë detyroi Strukturën e Posaçme të hetojë një kallëzim të bashkëshortes së Aleks Nikës kundër ish-kryeministrit, Sali Berisha, ish-ministrit të brendshëm, Lulëzim Basha dhe ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, të cilët i akuzon për “vrasje në rrethana cilësuese”, “shpërdorim të detyrës” dhe “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”.

Gjatë një takimi informal me gazetarët gjatë javës së shkuar, kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se për këtë dosje po kryehen veprime hetimore intesive.

 

 

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos