I akuzuar për korrupsion ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, GJKKO zbut dënimin për Nikolin Nikën

Nga A2 CNN
29 Maj 2025, 16:34 | Kronikë

I akuzuar për korrupsion ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, GJKKO

Gjykata e Posaçme ka miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë nga Nikolin Nika, i akuzuar për korrupsion aktiv ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai u dënua me 1 vit burg, por dënimi u pezullua dhe Nika do të qëndrojë në shërbim prove për 2 vite.

Gjatë kësaj periudhe, ai duhet të mos kryejë vepra penale, të qëndrojë larg personave të dënuar dhe të raportojë pranë Shërbimit të Provës në Lezhë. Vendimi është i formës së prerë dhe nuk lejohet ankim.

Njoftim i GJKKO

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Miratimin e marrëveshjes së fajësisë me të pandehurin Nikolin Nika, datë 05.05.2025, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 i K.Penal”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Elsa Ulliri dhe Rudina Palloj, me vendimin Nr. 39, datë 29.05.2025 vendosi:

1. Miratimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë për të pandehurin Nikolin Nika, në kuadër të procedimit penal nr. 131 të vitit 2024, më datë 05.05.2025, nënshkruar nga prokurori i çështjes Elvin Gokaj, i pandehuri Nikolin Nika dhe mbrojtësi i tij av. A.S.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Nikolin Nika, për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 i K.Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

3. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në provë të pandehurit Nikolin Nika, për një periudhë kohe prej 2 (dy) vitesh, me kusht që i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës Lezhë. Afati i provës fillon nga e nesermja e shpalljes së vendimit për pezullimin e dënimit me burgim.

4. Në bazë të nenit 60 pika “9” të Kodit Penal urdhërohet i pandehuri të mos shoqërohet me persona të dënuar.

5. Shpenzimet procedurale në fazën e hetimit paraprak në masën 6 000 (gjashtë mijë lekë) dhe ato gjyqësore, do të paguhen nga i pandehuri Nikolin Nika.

6. Në referim të nenit 406/f, pika 1, të K.Pr.Penale, kundër vendimit nuk lejohet ankim.

Tiranë, më datë 29.05.2025

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos