Arratisja e të paraburgosurit të rrezikshëm Altin Ndoci nga burgu i Durrësit, ka nxjerrë në pah dobësitë e sistemit të sigurisë në burgjet shqiptare. Në një lidhje me Dita Jonë në A2 CNN, gazetari investigativ Artan Hoxha tha se ai ka ikur drejt zonës Tiranë-Durrës, që janë më të populluara, duke e bërë të vështirë zhvillimin lokalizimin e tij.
“Zona ku ai ka ikur pra Durrës Tiranë është aktualisht zona më e populluar e vendit dhe nuk është e lehtë të fillosh në operacionet e kërkimit, pastaj të zbulosh ku mund të jetë fshehur ai. Nëse ti parapraktisht nuk e di rrjetin shoqërorë që ka ky person dhe kush është në mbështetje të tij. Organizata kriminale, pjesë e së cilës ai ka qenë, njohjet që ai ka patur, ngjarjet në të cilat ai është përfshirë, koha apo mosha fare e re kur ai është përfshirë në ngjarje dhe aktivitet kriminal, janë të gjitha elementë që janë në favorin e tij. Pra, nëse ti i jep mundësi që ai të ikë, patjetër që ai e bën këtë gjë”, tha Hoxha në A2 CNN.
Sipas Hoxhës, arratisja ka qenë e koordinuar, fakt që dëshmohet nga prania e një automjeti që e priste dhe drejtimi i qartë i lëvizjes së tij. Gazetari thekson se pas pesë vitesh në paraburgim, i arratisuri kishte studiuar dobësitë e sistemit të sigurisë dhe i shfrytëzoi ato në momentin e parë që iu dha mundësia.
“Që ajo është e koordinuar, është dukshëm sepse jo më kot e priste makinë aty dhe jo më kot ai vrapon drejt vendit ku e priste makina. Ishte një njeri që ka pesë vjeç qëndron në burg. Patjetër që ka një koordinim të saktë që ka bërë. Ai gjeti pikat e dobëta të të sistemit ë sigurisht e shfrytëzoi këtë mundësi. Në pamje të para ti ishte dhe një mundësi e dytë për jetën ishte edhe në moshë në fakt është në moshë të re dhe me sa duket nuk ka dashur ta humbi këtë mundësi që është dhënë e ka shfrytëzuar”, u shpreh ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Hoxha rikujtoi në Dita Jonë në A2 CNN disa ngjarje të rënda kriminale ku ishte i përfshirë Altin Ndoci.
“Është akuzuar për dy ngjarje të cilat kanë qenë sapo ka filluar Covidi në vitin 2020, ku ka patur nga dy të vrarë në qytetin e Durrësit. Më vonë është vlerësuar që ai është i pafajshëm dhe nuk janë gjetur prova për këto dy ngjarje dhe është përfshirë nga bashkëpunëtorët e drejtësisë Nuredin Dumani dhe Erion Alibej në atë që njihet si masakra për sheshin e dhjetorit të vitit 2018 dhe pastaj ngjarje që ka ndodhur në vitin 2019 vrasja e Andi Zlyfit dhe plagosja e një personi tjetër”, tha Hoxha në A2 CNN.
Ai shpreh shqetësim për reagimin e institucioneve, duke theksuar se pas përmbytjes së burgut të Durrësit duhej të ishte rritur niveli i sigurisë.
“Ajo që unë pashë me shqetësim dje është mënyra se si reaguan drejtoria e burgut dhe ministria e drejtësisë në burgun e Durrësit. Para pak ditësh që u përmbyt kati i parë, në atë moment niveli i sigurisë në atë burg u cenua. Duhet të ishin marrë masa që nga ai moment që në këtë institucion të rritej niveli i sigurisë. Nuk mjaftonte që të shikonim ministrin e drejtësisë të zhytur me çizme atje se s'ka nevojë ta bëjë këtë skemë. Po nuk është ministri ai që ofron sigurinë. Ai është vendimmarrësi. Ai është njeriu që harton politikat e sigurisë në këtë institucion dhe ne në vend që të shikonim deri ku ishte cenuar niveli i sigurisë në burgun e Durrësit, ne na ofronin se si ishin zhytur deri në mes me ujë drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë. Po zhytja nuk vlejti, sepse Altin Doci dje iku në të thatë, i tharë, i veshur i lartë dhe i hekurosur me një gjendje fizike optimale. Tashmë është kthyer në personazhin kryesor, duke tërhequr vëmendjen nga shumë ngjarje të tjera, nga shumë halle të tjera që ka ky vend”.
Sipas Hoxhës, arratisja nxjerr në pah dështime serioze institucionale dhe tani mbetet detyrë e autoriteteve që ta kapin dhe ta rikthejnë përpara drejtësisë.
“Tani i ngelet autoriteteve të dëshmojnë të paktën në pjesën tjetër që duhet ta kapin dhe duhet ta rikthejnë atë në sistem dhe njëherë që ai t'i nënshtrohet gjykimit dhe pastaj të shohim aty deri ku shkon implikimi i tij”, tha Hoxha në A2 CNN.
(A2 Televizion)