Një 35-vjeçar që vuante dënimin në burgun e Reçit i ka dhënë fund jetën duke u vetëvarur në qelinë e tij.
Sandër Dedaj, sapo është vënë re nga punonjësit e burgut, është transportuar për në spitalin e Shkodrës, por ka ndërruar jetë në urgjencë.
Sipas ekipit mjekësor të burgut, 35-vjeçari është trajtuar si pacient me probleme të çrregullimit mendor.
Dedaj, banues në Laç, ishte arrestuar më 27 dhjetor të vitit 2023 për akuzën e "plagosjes së rëndë me dashje".
"Menjëherë pas konstatimit, iu dha ndihma e parë mjekësore nga nd/mjeku i institucionit dhe më pas u transportua me urgjencë në spitalin e Koplikut, ku mori trajtim mjekësor të mëtejshëm. Prej andej, u transferua në Spitalin Rajonal Shkodër me shenja jete për kujdes të specializuar. Pavarësisht përpjekjeve intensive të ekipit mjekësor në Sallën e Reanimacionit, rreth orës 10:53, mjekët specialistë konfirmuan vdekjen e tij (exitus letalis)", njoftojnë autoritetet.
Autoritetet përkatëse, përfshirë SHKBSB, Prokurorinë dhe familjarët e të ndjerit, janë njoftuar menjëherë dhe ngjarja është nën hetim për të sqaruar të gjitha rrethanat. (A2 Televizion)