I dënuar me 9 vite burg në Itali, arrestohet 48-vjeçari, fshihej në Fier prej 12 vitesh

Nga A2 CNN
28 Gusht 2024, 09:16 | Kronikë

I dënuar me 9 vite burg në Itali, arrestohet 48-vjeçari,

Prej 12 vitesh në kërkim nga autoritetet italiane, por Altin Sopani fshihej në Fier. 48-vjeçari me dy emra është lokalizuar nga policia shqiptare dhe është arrestuar në qytetin e tij të Lindjes me qëllim ekstradimin drejt Romës.

I njohur edhe si Erion Veliu, 48-vjeçari i dënuar në Itali me 9 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje, trafikim narkotikësh dhe shfrytëzim prostitucioni, u ndalua në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 14”.

“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 14”, kapi në Fier dhe vuri në pranga shtetasin Altin Stopani alias Erion Veliu, 48 vjeç, i lindur në Fier. Në vitin 2012, autoritetet gjyqësore në Itali e kanë dënuar këtë shtetas me 9 vjet burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje, trafikim të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim për prostitucion, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.”/ A2 CNN (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos