Pasditen e së shtunës, Darment Keli vrau me thikë shokun e Ardi Marishtës në zonën e Astirit në Tiranë, por këtë të martë, të dy u ulën krah njëri-tjetrit në gjykatën e Tiranës.
I pari i akuzuar për “vrasje me dashje” të Amarildo Hoxhallarit, ndërsa tjetri për “drejtim në gjendje të dehur” të motoçikletës ku gjendej Hoxhallari para se të merrte plagët që më pas i morën jetën.
Pendesën e shfaqur para nisjes së seancës përmes përpjekjes për të mbuluar fytyrën 25-vjeçari Keli e vijoi edhe para gjyqtarit Kujtim Vraniçi, shkruan A2.
Ai tha se nuk kishte pasur për qëllim të vriste 25-vjeçarin, Hoxhallari. Sipas tij, gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi, pasi e kishte parë Hoxhallarin t’i ngacmonte të dashurën e më pas, kur u përballën ishte fyer rëndë dhe goditur me grusht prej tij.
Sipas avokatit, vrasja ka ndodhur në kushte të tronditjes së rëndë psikike. Nga ana tjetër, përmes avokates së tij, i akuzuari Marishta ka treguar se vetëm ka qenë i pranishëm dhe nuk ka pasur asnjë rol në konfliktin mes Hoxhallarit, pasagjer në motorin e tij dhe 25-vjeçarit Keli.
Ndërkohë, ai ka konfirmuar se para ngjarjes kishin konsumuar alkool. Për të dy gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, transmeton televizioni A2.
Sipas prokurorisë, pasditen e së shtunës, pasi është përballur me Kelin dhe qëlluar disa herë me thikë prej tij, Hoxhallari dhe Marishta janë larguar me motor. 500 metër larg vendit të ngjarjes Hoxhallari ka rënë nga motori. Ai dyshohet të ketë ndërruar jetë më pas gjatë rrugës për në spital./ A2 CNN. (A2 Televizion)