"Postime me këngët e Stresit", Daily Mail: Vrasësi shqiptar "mbret" në Tik Tok nga burgu i Mançesterit

Nga A2 CNN
27 Gusht 2024, 14:33 | Kronikë

Eugert Merizaj, një 33-vjeçar shqiptar që u dënua me 32 vite burg nga drejtësia angleze, pasi akuzohej për vrasjen me armë gjahu të tregtarit të drogës Hemawand Ali Hussein në Hartlepool, është rikthyer sërish protagonist në mediat britanike.

Tabloidi britanik Daily Mail raporton me shqetësim faktin se Merizaj është vazhdimisht duke postuar video në rrjetet sociale nga qelia e tij e burgut në Mançester, pavarësisht se rojet ia kanë sekuestruar disa herë pajisjet elektronike.

“Ai duket se po jeton jetën me shpenzimet e taksapaguesve britanikë, duke postuar një video të hënën duke kënduar me muzikë në sfod dhe duke mbajtur veshur rroba të shtrenjta. Një video që tregon nga brenda qelinë e tij në HMP Manchester zbulon se Merizaj ka një televizor, altoparlant dhe videolojëra, si dhe një sërë librash në gjuhën e tij amtare. Së fundmi, ai ndau një video ku shihet ai në një transmetim live në TikTok duke falënderuar një nga ndjekësit e tij për të cilin shprehet se "i qëndroi pranë më shumë se disa që njeh". Vrasësi i dënuar transmetoi një sfidë në TikTok javën e kaluar ku ai luante një lojë në platformë teksa bisedonte me një grua”, raporton media britanike.

33-vjeçari ka qenë aktiv në Instagram dhe TikTok që kur u dënua me burg në maj të vitit 2022 për ngjarjen e ndodhur në 2019.

Sipas Daily Mail, Merizaj mburret në postimet e tij se po kalon gjysmën e kohës në celular, pavarësisht se i ishte konfiskuar një i tillë, të paktën tre në katër muajt e fundit. Ai tani po poston në një llogari të sapokrijuar në TikTok me 18,000 ndjekës pasi e mëparshmja, me trefishin e ndjekësve iu mbyll.

Së fundmi ai ka pozuar nga qelia në Instagram, i veshur me atlete të markës “Dolce & Gabbana” që kushtojnë deri në 550 paund. Foton e ka shoqëruar me mbishkrimin 'më i fortë se kurrë' të shkruar në shqip, ndërsa në sfond dëgjohet një këngë e bashkatdhetarit të tij, Stresi, me titull ‘Mos u dorëzo’.

Merizaj sipas tabloidit britanik është mburrur duke thënë në “live” e tij në Tik Tok se nëse telefoni i tij do të gjendej nga oficerët e burgut, ai thjesht do të blinte një tjetër dhe telefoni i ri do t’i kushtonte 2,000 £ brenda burgut.

Në mbyllje të artikullit mbi 33-vjeçarin shqiptar, Daily Mail nënvizon se nëse ai i kryen të plota 32 vitet e dënimit, përllogaritet që qëndrimi në burg i Merizajt do t'i kushtojë taksapaguesve britanikë 1.4 milionë paund./ A2 CNN (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos