
Pas tentativës për vrasje të ndodhur dje në mesditë në qytetin e Elbasanit, ka reaguar edhe Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar, e cila ka shprehur shqetësimin për ngjarjen dhe ka vlerësuar faktin që incidenti nuk përfundoi me humbjen e një jete njerëzore.
Në një deklaratë publike, Qendra dënon çdo formë dhune dhe përdorimin e armëve, duke theksuar se akte të tilla nuk cenojnë vetëm sigurinë e personave të përfshirë në konflikt, por krijojnë pasiguri dhe shqetësim për të gjithë komunitetin.
“Çdo akt dhune, kërcënimi apo përdorimi i armëve është i papranueshëm dhe cenon jo vetëm jetën e individit, por edhe qetësinë dhe sigurinë e gjithë komunitetit”, thuhet në deklaratën e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar.
Qendra vlerëson ndërhyrjen e institucioneve dhe nënvizon rëndësinë e zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe të zbatimit të ligjit ndaj çdo personi që rezulton përgjegjës.
Në reagimin e saj, Qendra u bën thirrje qytetarëve që të refuzojnë dhunën si mënyrë për zgjidhjen e konflikteve dhe të ndërgjegjësohen për pasojat që mund të sjellë përdorimi i armëve.
Sipas saj, dialogu, vetëpërmbajtja dhe respekti duhet të jenë rruga për zgjidhjen e konflikteve, ndërsa ligji duhet të jetë mekanizmi që garanton drejtësinë dhe sigurinë.
Qendra thekson se parandalimi i dhunës nuk është vetëm detyrë e institucioneve ligjzbatuese, por një përgjegjësi që kërkon angazhimin e të gjithë shoqërisë.
Në deklaratë i kushtohet vëmendje edhe traditës së Elbasanit për bashkëjetesë, tolerancë dhe respekt ndërmjet komuniteteve të ndryshme.
Qendra nënvizon se ruajtja e kësaj fryme është një përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, familjeve, shkollave, komuniteteve fetare dhe çdo qytetari.
Në një kohë kur konfliktet mund të përshkallëzohen në ngjarje me pasoja të rënda, mesazhi i Qendrës është për forcimin e komunikimit dhe respektit në komunitet, duke shmangur çdo formë të hakmarrjes apo dhunës.
“Jeta njerëzore është e shenjtë. Konfliktet zgjidhen me dialog dhe ligj, jo me armë. Paqja dhe siguria fillojnë nga secili prej nesh”, përfundon deklarata e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar.
Reagimi vjen pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në Elbasan, ku ndërhyrja e Policisë bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar dhe shmangien e një pasoje edhe më të rëndë. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje shqetësimin për përdorimin e armëve në konfliktet mes individëve dhe nevojën për forcimin e mesazheve kundër dhunës në komunitet. (A2 Televizion)