Atentati me tritol në Sarandë, autorët instaluan eksplozivin në makinë dy ditë para ngjarjes

Nga Igli Çelmeta
6 Tetor 2025, 15:08 | Kronikë

Atentati me tritol në Sarandë, autorët instaluan eksplozivin

Në bazë të hetimeve nga grupi hetimor, policia dyshon se autorët e instaluan tritolin në makinën e 58-vjeçarit Isuf Jaçaj në Sarandë dy ditë para atentatit

Nga hetimet e deritanishme nga Policia rezulton se lënda eksplozive, rreth 500 gramë është instaluar nga autorët poshtë automjetit tip "Toyota" në vendin e shoferit. Sa i përket dinamikës së ngjarjes, para atentatit Isuf Jaçaj ka qenë në një lokal duke konsumuar kafe në lagjen nr.3 aty ku ka edhe banesën e të birit.

Rreth orës 22 e 45 minuta, Jaçaj ka dalë nga lokali dhe ka hipur në makinë, ka ndezur mjetin dhe pasi ka ecur rreth 20 metra ka ndodhur shpërthimi i telekomanduar.

Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë dhe ka nisur këqyrjen tyre me qëllim identifikimin e autorëve të dyshuar. Policia ka pikasur një mjet të dyshimtë që ka qenë në zonë gjatë kohës kur ka ndodhur ngjarja, por po bëhen verifikimet e para.

Hetuesit dyshojnë se autorët e kanë mbajtur në vëzhgim prej ditësh viktimën duke gjurmuar lëvizjet e tij. 58-vjeçari nuk ruhej dhe as nuk lëvizte me automjet të blinduar. Policia ka dyshime se autorët kanë qenë rreth 200 metra nga vendngjarja nga ku kanë kryer shpërthimin me telekomandë dhe më pas janë larguar. Pista kryesore që po heton policia është ajo e hakmarrjes.

Në 21 korrik në po të njëjtën lagje i ishte vendosur tritol edhe makinës së djalit të viktimës, 31-vjeçarit Klaus Jaçaj i cili ndodhet në burg për “përkrahje të autorit të krimit”, lidhur me ngjarjen e datë 17 korrik, ku u plagosën dy të rinjtë nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos