Një shtetas shqiptar është ekzekutuar në Medelin të Kolumbisë. Mediat vendase raportojnë se Artur Tushi , i dyshuar si narkotrafikant shqiptar u vra në një rrugë pranë qendrës tregtare Santa Fe, në lagjen El Poblado dhe autorët e dyshuar janë arrestuar nga policia.
Sekretari i Sigurisë së qytetit, Manuel Villa Mejía, informoi se viktima ishte një burrë që kishte dokumente ekuadoriane, por është me kombësi shqiptare.
Gjatë atentatit, një grua që shoqëronte 44-vjeçarin shqiptar mbeti e plagosur. Ai gjithashtu bëri të ditur se autori i dyshuar i vrasjes, i cili lëvizte me motor, u arrestua në komunën Bello, në veri të luginës Aburrá. Motori dhe arma e zjarrit me të cilën dyshohet se u krye vrasja u sekuestruan.
"Motivet dhe detajet e rastit janë duke u hetuar në këtë moment nga autoritetet", deklaroi Villa Mejía.
Sipas hetimeve të InSight Crime, rrjetet shqiptare janë një aktor kyç në trafikun e drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë kryesore për operacionet e tyre transatlantike.
Këto grupe kriminale ballkanike kanë dërguar përfaqësues në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës si FARC apo grupi "Los Urabeños" në Kolumbi, me qëllim që të sigurojnë çmimin më të ulët të mundshëm me shumicë.
Ky pozicionim strategjik i ka lejuar ata të përfitojnë ndjeshëm nga rritja e prodhimit të kokainës në Amerikën Latine, duke e blerë drogën për rreth 2.000 deri 4.000 dollarë për kilogram dhe duke e shitur më pas në Evropë për 30.000 deri në 40.000 dollarë për kilogram.
Gjatë këtij viti në qytetin e Medellín janë kryer 251 vrasje, që përfaqëson një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2024. (A2 Televizion)