Atentati ku mbetën të vrarë babë e bir, Prelë dhe Lekë Gjoni, në zonën e Dukagjinit, la të plagosur edhe një person të tretë, i cili, edhe pse nuk u shpëtoi dot plumbave, arriti t’i shpëtonte vdekjes.
Lazër Bashi ndodhej rastësisht në mjetin ku po udhëtonin babë e bir dhe ishte ulur në pjesën e pasme të fuoristradës. Pas ndihmës së parë mjekësore, ai ka treguar momentet e tmerrit, kur plumbat vërshuan nga të dyja anët.
“Pasi na qëlluan, kam qëndruar i shtrirë në pjesën e pasme të fuoristradës dhe e ndjeva që kisha marrë një plumb në shpatull. Qëndrova kështu derisa ikën personat që na qëlluan. Pastaj kam dalë nga makina e anuar dhe kam filluar të eci në këmbë, pasi nuk kishte valë që të merrja në celular, shkruan A2CNN.
Pas rreth 40 minutash ecje, kam mbërritur te një lokal pas kryqëzimit ku lidhet rruga e Pultit me atë të Shoshit. Atje kam kërkuar ndihmë dhe kam larë gjakun që më rridhte te një çezmë që ndodhet aty. Në të njëjtin vend kam pritur edhe autoambulancën, që më mori dhe më dërgoi në spital.”
Por edhe pse kjo ngjarje e rëndë ka një të mbijetuar, dëshmia e tij duket se nuk ka hedhur dritë mbi autorët apo motivet e kësaj prite të përgjakshme.
Policia dyshon se shënjestra kryesore e këtij atentati ka qenë Lekë Gjoni, edhe pse ai nuk njihej si person problematik.
As familjarët nuk kanë ngritur dyshime konkrete mbi motivet e kësaj ngjarjeje, ndërsa Policia po verifikon të kaluarën e tij, përfshirë edhe divorcin që kishte pasur disa muaj më parë me ish-bashkëshorten, me të cilën kishte edhe katër fëmijë. (A2 Televizion)