"Pis! Më ka shkatërruar", Veliaj refuzon dosjen, Ols Dado: Fyeu agjentët e BKH

Nga Armand Bajrami
24 Mars 2026, 19:26 | Kronikë

Një vendim i Gjykatës së Posaçme më 9 mars detyroi SPAK t’i dërgonte në burgun e Durrësit kryebashkiakut Erion Veliaj të gjitha aktet e dosjes. Vendimi i Gjykatës u zbatua, aktet e dosjes, 61 mijë faqe në total, u dërguan në burg, por Erion Veliaj refuzoi t’i marrë ato.

Fakti u bë i ditur në seancën e të martës ndaj Veliajt dhe 29 të bashkëpandehurve në Gjykatën e Posaçme, ku kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej nga avokati Plarent Ndreca, ish-zyrtari i pandehur në një proces tjetër penal në Gjykatën e Posaçme, shkruan A2CNN.

 Seanca e së martës dështoi për shkak të mungesës së një prej avokatëve, por u zhvillua mes debatit të fortë mes prokurorëve dhe avokatit të Veliajt, në thelbin e të cilit ishte njohja e kryebashkiakut me dosjen. Kryesuesja e seancës relatoi se, në zbatim të vendimit të gjykatës, agjentët e BKH i kanë çuar dosjen Veliajt në burgun e Durrësit, por ai nuk ka pranuar ta marrë dhe as të firmosë procesverbal për marrjen e saj.

Në këto kushte, tha gjykata, aktet e dosjes janë mbyllur në një ambient në këtë burg, ku nuk mund të futet asnjeri. Në sallë, avokati i Veliajt tha se dosja ishte çuar “hopshe”, se klienti i tij nuk ishte njoftuar me herët për të marrë avokatin dhe se kërkonte një inventar për aktet. Ballë tij, prokurori Olsi Dado tha se Veliaj kishte kundërshtuar dhe fyer agjentët e BKH, që i dërguan dosjen.

 Duke lexuar procesverbalin, prokurori Dado tha se Veliaj ka pasur sjellje kundërshtuese dhe fyese ndaj agjentëve të BKH.

“Gruaja ime abortoi dy herë. Më keni shkatërruar. Ols Dado ka 30 apartamente. I kam firmosur leje ndërtimi. Ky pis, abortin e fëmijëve të mi nuk kam për t’jua falur”, lexoi Dado.

Qëndrimi i Veliajt në procesverbalin e firmosur edhe nga zyrtarët e burgut u relativizua nga avokati jashtë sallës.  I ashpër në gjyq u shfaq edhe prokurori Altin Dumani, i cili i kërkoi kujdes avokatit mbi mënyrën si shprehej për agjentët e BKH.

“Kanë zbatuar vendimin e gjykatës, me korrektësi, iu drejtua Dumani avokatit Ndreca. “Nuk ka akte hopshe. Mos improvizo situata që nuk ekzistojnë. Ne flasim me akte, jo me hamendësime si ju”. Kërkesa e avokatit Ndreca për inventarizim të akteve u refuzua nga gjykata. Seanca e radhës e gjyqit ndaj kryebashkiakut të akuzuar për 5 vepra penale, mes të cilave “korrupsion” dhe “pastrim të parave” u caktua më 1prill. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos