Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ushtruar kontrolle në banesën dhe biznese të biznesmenit Ergys Agasi.
Hetuesit e BKH, të mbështetur nga efektivë të Policisë së Shtetit, kanë ekzekutuar një vendim gjyqësor të lëshuar nga Gjykata e Posaçme për kontrollin e disa ambienteve në qytetin e Durrësit dhe Tiranës.
Burime pranë SPAK, konfirmuan për A2 CNN, ndërmarrjen e kontrolleve për llogari të një hetimi të kësaj strukture.
Jozytarisht, mësohet se veprimi hetimor lidhet me një procedim penal mbi persona të dyshuar si të përfshirë në kontrabandën e cigareve.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar akte shkresore dhe pajisje elektronike, të konsideruara nga hetuesit me vlerë për hetimin. (A2 Televizion)