Inceneratori i Tiranës, Gjykata e Posaçme dënon me 4 vite burg Alqi Bllakon

Nga A2 CNN
11 Mars 2025, 14:19 | Kronikë

Gjykata e Posaçme ka vendosur këtë të martë që të dënojë me 4 vjet burg ish-deputetin e PS, Alqi Bllako.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht ish-ligjvënësit socialist do t’i duhet të vuajë 2 vjet e 8 muaj heqje lirie.

Përveç dënimit me burg gjykata dha edhe dënim plotësues për Bllakon, me heqje të së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Bllako u fajësua për dy episode korruptive të lidhura me çështjen e inceneratorit të Tiranës. Bëhet fjalë për një pagesë prej 120 mijë eurosh nga kompania e Klodian Zotos për fabrikën e birrës së babait të ish-deputetit të PS dhe punësimi po nga biznesmeni Klodian Zoto si këshilltar i jashtëm i Vladimir Bezhanit, me ndikim të Bllakos.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 5 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga ushtrimi i funksioneve publike për Alqi Bllakon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos