Ishte hedhur në shkurre, gjendet thika me të cilën u vra 21-vjeçari portugez në Ksamil

Nga A2 CNN
23 Gusht 2026, 13:35 | Kronikë

Ishte hedhur në shkurre, gjendet thika me të cilën u vra

Policia e Sarandës ka gjetur thikën e dyshuar me të cilën u vra 21-vjeçari portugez.

A2 CNN raporton se thika u gjet e hedhur në një zonë me shkurre, pas dëshmisë së DJ-it të lokalit ku ndodhi ngjarja.

Thika është gjetur në krahun e majtë, e hedhur në ferra në një rrugë rurale periferike të Ksamilit.
Sipas burimeve, atje ka qenë pika e fundit që DJ i lokalit “Principote” ka lënë Sokrat Vatën. Pasi ka dalë nga makina, Vata ka hedhur thikën në ferra dhe është larguar me vrap.

20-vjeçari, Luis Miguel Varela Mendes,  i cili po kalonte pushimet në Ksamil, humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së martës, pas një konflikti të dyshuar me mjete prerëse.

Dy ditë më parë Gjykata e Sarandës, pas një seance që zgjati afro 10 orë, caktoi masat e sigurisë për 11 të arrestuarit për vrasjen e turistit portugez në Ksamil.

Për autorin, Sokrat Vata, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”. E njëjta masë është vendosur edhe për dy shtetasit turq që ndihmuan autorin të largohej.

Për Ildi Cekanin, Serxhi Selimin dhe Ervis Buncin, kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe të përfshirë në sherr, është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg” për një afat 45-ditor.

Ndërkohë, për Luciano Seferin, Moisi Matushajn, Romeo Shehun, Murat Zhabinën dhe Kristo Koshon është vendosur masa “detyrim për t’u paraqitur”.

Mësohet se autori i ngjarjes së rëndë, Sokrat Vata, u ka kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës dhe ka shprehur pendesë për ngjarjen e ndodhur.

Sipas Vatës, sherri nisi për shkak të zhurmës së turistëve francezë në lokal, ndërsa ai pretendon se ata ishin të parët që e kishin sulmuar fizikisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos