Ishte kthyer në tmerrin e bizneseve në Shijak, bie në pranga 27-vjeçari

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2025, 09:54 | Kronikë

Ishte kthyer në tmerrin e bizneseve në Shijak, bie në pranga

Një operacion i Policisë së Shijakut, i koduar “Shumat”, ka çuar në arrestimin e një 27-vjeçari që dyshohet të ketë kryer një sërë vjedhjesh në biznese të zonës gjatë javëve të fundit. Pas një pune hetimore intensive, efektivët identifikuan dhe kapën shtetasin R. T., banues në Shijak, i cili akuzohet për vjedhjen e parave dhe sendeve me vlerë në markete dhe biznese të ndryshme.

Sipas burimeve zyrtare, hetimet kanë zbardhur deri tani tre vjedhje të kryera në një market dhe dy biznese në fshatrat Borak dhe Xhafzotaj. Autori dyshohet se shfrytëzonte oraret pa qarkullim dhe përdorte veshje të posaçme për të shmangur identifikimin. Pikërisht këto rroba, të përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve, janë sekuestruar si prova materiale, shkruan A2 CNN.

Policia njofton se pista hetimore mbetet e hapur, pasi ka dyshime të forta se 27-vjeçari mund të jetë përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh të ngjashme në territorin e Shijakut. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, vijon mbledhja e provave dhe verifikimi i denoncimeve të mëparshme.

R. T. do të përballet me akuzën e “Vjedhjes”, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për hetime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos