Paraqitja e provave shkresore të SPAK në gjyqin ndaj të pandehurve të dosjes “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme u shoqërua me përplasje të forta mes prokurorëve dhe avokatëve të Altin Ndocit. Mbrojtësit e të pandehurit, që u arratis nga spitali i Durrësit një muaj më parë, pretenduan se SPAK po fshihte provat.
Duke ju drejtuar gjykatës ata kërkuan që prokuroria t’i vendosë në dispozicion CD-të e ardhura nga autoritetet franceze më komunikimet SKY ECC, të referuara në dosje.
“Me gjithë dëshirën e mirë për të besuar prokurorinë ne kemi të drejtën, që t’i verifikojmë dhe të ndjekim kontradiktoritetin, jo të sillen e-mailet me një shtet. Ne duam konkretisht provën”, tha avokatja Elda Zotaj.
Mes tonesh të larta kolegu i saj në mbrojtjen e Ndocit, Aldo Shkëmbi, shprehu habi përse nuk ishin sjellë në proces akt-ekspertimet e telefonëve të të penduarit Nuredin Dumani.
“Pse nuk janë sjellë? Se jeni bërë si telenovelë turke , s’po marrim më vesh çfarë po ndodh. Jam duke folur për veprimet hetimore të kryera, unë kam të drejtë të kërkoj provat”, tha Shkëmbi.
Pretendimet e avokatëve u mohuan nga prokurori i Behar Dibra, ndërsa avokatja Zotaj replikoi “po i keni fshehur. Pse si sjell provat apo ke frikë se je brenda. Në s’ke gjë për të fshehur sill provat”.
Më herët, prokurorët e çështjes listuan provat shkresore, nga letër porositë franceze për bisedat e SKY ECC të të pandehurve, tej identifikimet e kodeve pin të përdorura prej tyre, bisedat ku flitet për një sërë ngjarjesh kriminal për të cilat akuzohen të pandehurit e deri tek procesverbalet e deklarimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Nuredin Dumani, Erion Alibej dhe Skerdi Tasi. (A2 Televizion)