
Në seancën e së enjtes të dosjes "Plumbi i artë" në Gjykatën e Posaçme SPAK po paraqet provat shkresore kundër të pandehurve. Prokurorja Doloreza Musabelliu i tha gjykatës se mes letërporosive janë identifikuar tre kodet e SKYECC, që disponoheshin nga Nuredin Dumani, shkruan A2 CNN. Njëlloj prokurorja tha se u veprua edhe me të pandehur të tjerë, përfshi të pandehurit Erion Alibej e Henrik Hoxha.
Në bisedat e kryera në aplikacionin e enkriptuar është folur rreth vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdia, planet për të vrarë Indrit Doklen dhe për të vrarë Emiliaono Ramazanin.
Më tej prokurorët e SPAK relatuan të gjitha procesverbalet përkatëse të mbajtura gjatë hetimit për shkatërrimin me eksploziv të banesës së Talo Çelës, vrasjen e Fatmira Dedjes, planet për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, të vëllezërve Haxhia dhe të tjera episode për të cilat akuzohen të pandehurit.
Pjesë e provave shkresore të relatuara ishin edhe procesverbalet e deklarimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë në këtë proces, Nuredin Dumani, Erion Alibej e Skerdi Tasi. (A2 Televizion)