
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për tetë të pandehurit e dosjes së njohur si “Sterilizimi”.
A2 CNN raporton se Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj janë dënuar secili me nga 6 vite burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohen në 4 vite burgim. Rrjepaj dhe Rrapaj kane marrë pafajësi për veprën penale të "grupit kriminal"
Marsela Serjani dhe Sajmir Kadiu u dënuan me nga 3 vite e 6 muaj burg, të reduktuara në 2 vite e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për të dy u hoq masa e sigurimit. Ndërsa për Serjanin, gjykata konstatoi se dënimi është shlyer.
Petret Mersini dhe Arben Gjata u dënuan me nga 3 vite e 6 muaj burg, të reduktuara në 2 vite e 4 muaj, por me pezullim të ekzekutimit dhe vendosje në shërbim prove për 24 muaj.
Genc Byrazeri u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, që pas uljes me 1/3 u konvertua në 1 vit, me pezullim dhe 80 orë punë në interes publik. Ndërsa Naile Ajazi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, të reduktuara në 1 vit, me pezullim dhe shërbim prove për 2 vite. (A2 Televizion)