Kamikazët e rrugës, nisin masat e reja. Hiqet patenta përjetë për përsëritësit e alkoolit

Nga Igli Çelmeta
10 Gusht 2026, 15:54 | Kronikë

Kamikazë në timon me shpejtësi mbi 200 km orë dhe nën efektet e alkoolit janë kthyer në rrezikun kryesor të lëvizjes në rrugë. Rastet kur përsëritësit kanë shkaktuar dhe ngjarje fatale po ashtu nuk kanë munguar. Në Durrës viktimë mbetën dy të mitur ndërsa shoferi ishte kapur disa herë nën efektet e alkoolit. Ngjarja ngriti kambanat e alarmit.

Drejtori i Policisë Rrugore Perlat Vatoci bëri të ditur rregullat e reja ku theksin e vuri tek ata që kapen më shumë se një herë nën efektet e alkoolit, shkruan A2 CNN. “Do të humbasin përjetë patentën. Kjo masë vjen si nevojë e adresimit të fenomenit shqetësues të aksidenteve rrugore me pasoja, për shkak të drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur”, tha ai.

Për rastet kur me makina të luksoze nuk respektojnë distancën, apo dhe bëjnë manovra të rrezikshme gjoba trefishohet, nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.

Për ata që kapen pa leje drejtimi, shtyhet periudha në të cilën duhet të marrin patentë. “Shtyrjen e së drejtës për t’u pajisur me leje drejtimi deri në 1 vit për personat që konstatohen duke drejtuar mjete pa qenë të pajisur me leje drejtimi, ndërsa për të miturit kjo periudhë shtyhet me 2 vjet”.

Edhe përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të biçikletës, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatina me motor do të gjobitet.

Nëse një drejtues ndëshkohet dy herë brenda të njëjtit vit për përdorim të telefonit celular, leja e drejtimit pezullohet. Më parë, kjo masë aplikohej pas tre shkeljeve.

Një tjetër ndryshim është heqja e mundësisë për të shmangur pezullimin e patentës përmes pagesës së dyfishit të gjobës maksimale.

Strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë njohur me ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor dhe janë udhëzuar për zbatimin e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos