
Një aksident automobilistik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në afërsi të fshatit Romës, në territorin e bashkisë Mallakastër.
Sipas të dhënave paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete tip “Benz”, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë mbetur të plagosur.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje ka mbërritur ambulanca, e cila ka transportuar të plagosurit drejt Urgjencës së Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor, të cilat kanë ndërhyrë për menaxhimin e situatës dhe qarkullimit të automjeteve.
Ndërkohë, grupi hetimor po kryen veprimet procedurale në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e përplasjes dhe për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. (A2 Televizion)