Pas disa javësh hetime me metoda proaktive, Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin “Shame”, ku janë zbuluar dy apartamente në Elbasan të përshtatura për ushtrimin e prostitucionit.
Në flagrancë u arrestuan dy shtetas kinezë për shfrytëzim prostitucioni dhe falsifikim vulash, si dhe tre shtetase kineze dhe braziliane për veprën penale “Prostitucioni”. Gjithashtu u arrestuan tre shtetas shqiptarë që kishin marrë pjesë në këtë aktivitet duke dhënë shpërblim monetar.
“Si rezultat i këtij operacioni, u zbuluan në Elbasan 2 apartamente të marra me qira, që ishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit dhe u arrestuan në flagrancë: shtetasit kinezë K. Ch., 44 vjeç, dhe R. C., 38 vjeçe, për veprat penale "Shfrytëzimi i prostitucionit" dhe "Falsifikimi i vulave , stampave ose i formularëve", të kryera në bashkëpunim; shtetaset kineze e braziliane L. N., 46 vjeçe, B. G., 52 vjeçe, dhe E. S., 23 vjeçe, për veprën penale "Prostitucioni". Këto shtetas kishin përshtatur për shfrytëzim prostitucioni ambiente të marrë me qira, si dhe duke u promovuar në faqe online ofronin favore seksuale kundrejt pagesave. Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë shtetasit Shqiptarë A. P., 38 vjeç dhe L. T., 38 vjeç dhe R. F., 28 vjeç, për veprën penale "Prostitucioni"”, njofton policia.
Po ashtu janë proceduar penalisht pronarët e dy apartamenteve dhe sanitarja që menaxhonin ambientet për prostitucion.
“U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 2 pronarët e apartamenteve shtetasit A. V.,46 vjeç, B. H., 36 vjeçe dhe sanitarja shtetasja O. T., 19 vjeçe, për veprën penale "Mbajtja e ambienteve për prostitucion"”, vijon njoftimi i policisë.
Gjatë operacionit u sekuestruan shuma parash në valuta të ndryshme, dokumente personale, letërnjoftime, vula të dyshuara false dhe 10 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)