Një 35-vjeçar, shtetasi Markeliano Pirtea, ka rënë në prangat e Policisë në Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kombinimi”.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ai akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe armëmbajtje pa leje, shkruan A2 CNN.
Po ashtu bëhet e ditur se gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan një armë zjarri, municion luftarak dhe rreth 135 gramë kokainë.
Nga të dhënat e policisë rezulton se ai më herët ka ushtruar dhunë ndaj një shtetasi gjatë një konflikti, duke e goditur me qytën e pistoletës.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Kombinimi”. Shpërndante lëndë narkotike kokainë dhe mbante armë zjarri dhe municion luftarak në banesë, vihet në pranga 35-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, rreth 135 gramë kokaine, të cilën dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në doza dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, pas një informacioni të siguruar në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Kombinimi”, në kuadër të të cilit vunë në pranga shtetasin:
-M. P., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të banesës së tij shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë të cilën e kishte fshehur te depozita e ujit, municion luftarak dhe lëndë narkotike kokainë.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se pasi siguronte lëndë narkotike kokainë, e ndante në doza me qëllim shitjen e saj. Gjithashtu, gjatë veprimeve procedurale, rezultoi se ky shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta, kishte goditur me qytën e pistoletës, shtetasin S. I, duke i shkaktuar dëmtime sipërfaqësore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)