Konflikti me armë në Laç, një nga të plagosurit në gjendje të rëndë

Nga A2 CNN
5 Maj 2025, 09:12 | Kronikë

Konflikti me armë në Laç, një nga të plagosurit

Një nga të plagosurit e dy ditëve më parë në afërsi të Kishës së Laçit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. Burime për A2 CNN konfirmojnë se Amarildo Ndoj ndodhet në reanimacion dhe pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

Ndërkohë A2 CNN mëson se tre personat e tjerë që mbetën të plagosur në konfliktin e të shtunës do të vijojnë të hospitalizuar në SUT.

“Daniel Gjeloshi dhe Liridon Ismailaj dhe shitësja Angjelina Ndoj janë jashtë rrezikut për jetën do të vijojnë të hospitalizuar në SUT”, mëson A2 CNN.

Një ditë më parë ndërroi jetë në spitalin e Traumës një nga të rinjtë e plagosur nga të shtënat me armë në hyrje të qytetit të Laçit.

Viktima është 24-vjeçari Geri Bitri, i cili nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra nga plumbat pavarësisht përkujdesjes së mjekëve.

Geri Bitri së bashku me Liridon Ismalajn,  Amarildo Ndocin, Daniel Gjeloshin dhe shitësen ambulante Angjelina Gjezaj, mbetën të plagosur pas një sherri mes dy grupesh që nisi për shkaqe tërësisht banale, siç është ajo e gërvishtjes së dy makinave.

Deri në këto momente, policia ka arrestuar dy persona për këtë ngjarje të rëndë, si dhe ka sekuestruar armët e përdorura, një prej të cilave u gjet në një kantier ndërtimi.

Në pranga ranë Klevis Ndreca dhe Daniel Gjeloshi, arrestimi i të cilëve erdhi vetëm pas hetimeve të kryera, dëshmisë të personave në vendngjarje dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë.

 

Të dy të rinjtë akuzohen për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos