Një 22-vjeçar është arrestuar nga policia mëngjesin e së shtunës, në autostradën Tiranë-Durrës.
I riu po transportonte pako me kokainë për ta shitur në doza në Yzberisht, Kashar dhe Ali Demi, shkruan A2.
Policia sekuestroi pakon me 564 gramë lëndë narkotike kokainë dhe automjetin Benz që drejtonte 22-vjeçari.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Trekëndëshi”.
U kap në flagrancë, në autostradën "Tiranë-Durrës", duke transportuar pako me Kokainë, për ta shitur në doza në zonat Yzberisht, Kashar dhe “Ali Demi”, arrestohet 22-vjeçari.
Sekuestrohen pakoja me 564 gramë lëndë narkotike Kokainë dhe automjeti tip “Benz” që drejtonte 22-vjeçari.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar në rrugë informative, për një shtetas që transportonte Kokainë, me automjet, në autostradën "Tiranë-Durrës", specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin “Trekëndëshi”.
Shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin e dyshuar tip “Benz”, në afërsi të Vorës, që drejtohej nga shtetasi B. S., 22 vjeç, banues në Tiranë. Nga kontrolli në këtë automjet, u gjet një pako me 564 gramë lëndë narkotike Kokainë, e cila dyshohet se do të ndahej në doza e do të shitej në zonat Yzberisht, Kashar dhe “Ali Demi”.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u krye arrestimi në flagrancë i 22-vjeçarit, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijojnë hetime për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)