Një 42-vjeçar është arrestuar në Dibër pasi u kap në flagrancë duke transportuar mallra të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut. Bashkë me të, në pranga ka përfunduar edhe një punonjës dogane, ndërsa një tjetër doganier është vënë nën hetim.
Operacioni policor i koduar “Skaneri” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një rast kontrabande në pikën kufitare të Bllatës.
I arrestuari është shtetasi A. C., 42 vjeç, banues në Maqellarë, i cili u ndalua në territorin e kësaj njësie administrative, teksa po transportonte me një automjet tip “Opel” disa mallra, të cilat nuk ishin të shoqëruara me fatura blerjeje apo dokumentacion ligjor.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 42-vjeçari ka bashkëpunuar me doganierë të pikës kufitare Bllatë për të kaluar mallrat kontrabandë pa kontrolle. Në këtë kuadër, është arrestuar edhe doganieri A. L., 51 vjeç, nga Tirana, i cili akuzohet për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.
Ndërkohë, një tjetër punonjës dogane, shtetasi E. M., 50 vjeç nga Korça, është vënë nën hetim në gjendje të lirë për shpërdorim detyre.
Policia ka sekuestruar mallrat e kontrabanduara, automjetin me të cilin kryhej transporti, si dhe një shumë parash në valuta të ndryshme. (A2 Televizion)