Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme, foli për herë të parë për të dhënat e përftuara nga Sky ECC dhe Encrochat, të cilat kanë ekspozuar lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.
Dumani u shpreh se nga të dhënat e përftuara tashmë nga Sky ECC dhe Encrochat është krijuar një panoramë më e qartë e krimit të organizuar shqiptar, të shtrirjes gjeografike, të aktiviteteve të synuara të krimit të organizuar shqiptar, por edhe të aleancave me grupet e tjera kriminale jo shqiptare.
Po ashtu, kreu i SPAK u shpreh se procedimet penale ku është përdorur SKY i kanë dhënë mundësinë kësaj strukture të zbulojë lidhjet e krimit të organizuar me politikën, me gjyqtarë, me prokurorë, me funksionarë të lartë policie dhe me përfaqësues të lartë të administratës, shkruan A2.
“Në vitin 2023, falë edhe bashkëpunimit me autoritetet ndërkombëtare, u bë e mundur fillimi i procedimeve të para, ku Sky ECC është një ndër provat e trajtuara gjatë fazës së hetimit paraprak. Por edhe bashkëpunimi në kuadër të SKY ECC është një tjetër tregues i nivelit të besimit që agjencitë e huaja kanë te SPAK dhe që i dhanë mundësi SPAK-ut të punojë edhe me prova të kësaj natyre. Falë edhe të dhënave të përfituara nga SKY, ne tashmë kemi një panoramë më të qartë të krimit të organizuar shqiptar, të shtrirjes gjeografike, të aktiviteteve të synuara të krimit të organizuar shqiptar, të aleancave me grupet e tjera kriminale jo shqiptare, të fuqisë financiare të tyre.
Gjithashtu, procedimet penale kur përdorëm SKY na dhanë mundësi të ekspozonim lidhjet e krimit të organizuar me politikën, me gjyqtarë, me prokurorë, me funksionarë të lartë policie dhe me përfaqësues të lartë të administratës”, tha Dumani në RTSH.
Ai foli edhe për debatin juridik nëse këto të dhëna të përftuara janë të vlefshme apo jo, teksa tha se SPAK është munduar që këto të dhënat të mos jenë e vetmja provë, shkruan A2.
“Ka një debat juridik rreth vlefshmërisë së të dhënave të përftuara nga Sky, madje këto debate janë zhvendosur edhe në tryezat mediatike me përfaqësues edhe të avokatëve të të pandehurve. Megjithatë, unë mund të them se ne kemi çështje që kanë kaluar në shkallë të parë, në Apel dhe në Gjykatë të Lartë. Gjithashtu, mund të them se ne si institucion kujdesemi që Sky të mos jetë e vetmja provë, por edhe të tjera që harmonizohen me Sky. Tani do të presim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë përfaqësoj disa çështje ku është përdorur Sky dhe unë ju kam kërkuar avokatëve të të pandehurve që të prezantojnë një vendim të vetëm të një gjykatë të BE apo edhe të rajonit që kanë deklaruar pavlefshmërinë e të dhënave të Sky. Ka një qasje pozitive edhe nga Gjykata e Luksemburgut dhe ajo e Strasburgut rreth përdorimit të Sky. Në rrugën tonë ne nuk mund të nëpërkëmbim vendime të shteteve anëtare të BE-së ku ne kërkojmë të shkojmë. Standardi aty është shumë i lartë dhe model për vende që aspirojnë të bëhen anëtarë të BE-së”, u shpreh Dumani. (A2 Televizion)