Kryepolici i ri, ja si do të vlerësohen kandidatët në konkurs. Ministria e Brendshme kërkon informacion nga SPAK

Nga Igli Çelmeta
19 Mars 2026, 19:20 | Kronikë

Përzgjedhja e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit po shkon drejt fazës finale. Javën e ardhshme do të bëhet zyrtarisht publik edhe emrin i kryepolicit të ri të vendit.

Komisioni i Posaçëm i ngritur sipas parashikimit të ligjit nga Ministria e Brendshme do të zhvillojë më 24 mars seancat dëgjimore me qëllim vijimin e procesit të vlerësimit për 14 kandidatët e kualifikuar, shkruan A2.

Më 24 mars do të përfundojnë të gjitha seancat dëgjimore me të gjithë kandidatët të cilët do të shpalosin platformat e tyre për drejtimin e policisë para komisionit, i përbërë nga një zv.ministër i brendshëm, sekretarja e përgjithshme e ministrisë dhe drejtori i AMP.  

Komisioni i Posaçëm ka kryer edhe verifikimin e pastërtisë së figurës për të 14 kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si, SPAK, SHISH, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, AMP dhe Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM). Gjithashtu, seancat dëgjimore do të ndiqen nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit. Në udhëzim thuhet se edhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, mund të marrin pjesë në seancat dëgjimore me kandidatët.

Por, si do të zhvillohet konkursi? A2CNN ka siguruar edhe udhëzimin e ministrisë se si do të vlerësohen kandidatët. Në seancën dëgjimore, i jepet fjala kandidatit i cili ka në dispozicion 20 minuta për të bërë një prezantim. Anëtarët e Komisionit i drejtojnë pyetje kandidatit në përputhje me kriteret e vlerësimit.

Kandidatët do të vlerësohen për aftësitë profesionale, integritetin, aftësitë organizative dhe drejtuese. Vlerësimi në total ka 100 pikë. Ku vlerësimi profesional ka 30 pikë maksimale, vlerësim moral dhe integriteti ka 10 pikë, vlerësimi organizativ dhe drejtues ka 50 pikë dhe element shtesë në vlerësim si gjuhët e huaja dhe titujt akademikë 10 pikë. Në fund të këtij procesi, brenda 48 orëve, pra deri më datë 26 mars, Komisioni i Posaçëm do t'i dorëzojë në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar. Më pas Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave emrin e kandidatit më të vlerësuar dhe vendimi i Qeverisë për miratimin e emrit do të merret në mbledhje qeverie.

Në garën për kryepolic garojnë 14 drejtues, emra të njohur në polici si Pëllumb Seferi, Elidon Çela, Afrim Tafa, Tonin Vocaj, Skënder Hitaj, Gentian Berberi, Alfred Çepe, Arjanit Arapi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku, dhe Neritan Nallbati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos