Meta kërkon sërish lirinë në Gjykatën e Posaçme

Nga Armand Bajrami
19 Mars 2026, 15:09 | Kronikë

Meta kërkon sërish lirinë në Gjykatën e Posaçme

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, i është drejtuar me një tjetër kërkesë për zëvendësim mase sigurie Gjykatës së Posaçme.

Javën e kaluar, Meta u tërhoq nga një kërkesë e njëjtë, për shkak se në të njëjtën ditë, Gjykata e Lartë shqyrtonte kërkesën e tij për ndryshim të masës "arrest në burg", në të cilën qëndron prej tetorit 2024.

Të mërkurën, jo gjykatë pranoi kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim të dosjes së ish-presidentit të Republikës, ish-deputetes dhe tre të pandehurve të tjerë, Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi. Meta dhe Kryemadhi do të përballen me akuzën për 3 vepra penale: atë të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehje e mosdeklarim të pasurisë.

Mbrojtësi ligjor i Metës shprehu habi se si gjykata, ndonëse konstatoi mangësi në hetim, të evidentuara prej tij dhe klientit, e kaloi dosjen në gjykim. “Duke na thënë që këto çështje mund të zgjidhen vetëm në themel. Që do të thotë, gjykata e themelit duhet të bëjë edhe prokurorin, edhe gjyqtarin. Unë nuk e kuptoj dot këtë vendim të gjykatës”, tha Cakrani.

Për të pandehurën Kryemadhi, vendimi ishte i pritshëm dhe sipas saj, në gjyqin e saj publiku do të shohë Big-Brother-in e drejtësisë. “Pra ata injorantët dhe atë mjerimin qytetar që patë në quiz-in e anëtarëve të Big Brother-it do ta shikojmë mjerimin qytetar dhe ligjor të sistemit të drejtësisë që SHBA dhe BE kanë harxuar mbi 140 milionë euro për të sjellë një inkuizicion politik. Sepse gjyqtarja pranoi që në dosje, 90% e akuzës së prokurorëve nuk ka asnjë provë”, tha ajo.

Për Kryemadhin, vendimi ishte dhënë nën presion. “Shumë pjesë të Gjykatës së Posaçme dhe të Shërbimit Informativ apo institucioneve të tjera, “të pavarura”, janë pjesë e videotekës së Ergys Agasit. Dhe ky është litari në fyt që ka sistemi i drejtësisë”, shtoi ajo.

Përmes një reagimi në Facebook, ish-presidenti Meta, tha se “Ramaforma” ishte një drejtësi me regji. Ai e konsideroi si kohë të humbur muajt e shqyrtimit paraprak, ndonëse, sipas tij, u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës. Me tej ai shprehte padurim për nisjen e procesit ku ftonte gazetarët dhe trupin diplomatik në Tiranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos