
Gjashtë automjete janë përfshirë në një aksident të ndodhur në qendër të Vlorës, pranë Postës Qendrore.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Peugeot” i ka prerë rrugën një mjeti tip “Volkswagen”, duke shkaktuar përplasjen fillestare.
Si pasojë e këtij incidenti, në aksident janë përfshirë edhe disa automjete të tjera që ndodheshin në lëvizje në atë moment, mes tyre edhe një mjet “Hyundai” i Prefekturës së Vlorës.
Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale të shkaktuara janë të konsiderueshme.
Përplasja ka shkaktuar gjithashtu edhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në zonë, duke krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë, të cilat kanë bërë sigurimin e zonës dhe normalizimin e trafikut.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse.
(A2 Televizion)