Rekrutimi i Muçi Shaljanit, merret i pandehur ish-kreu i AMP dhe drejtori i financës

Nga Armand Bajrami
19 Mars 2026, 15:42 | Kronikë

Dy zyrtarë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës për shkelje të ligjit gjatë punësimit në institucion të Muçi Shaljanit, personit që u vra bashkë me Gilmando Danin në atentatin e 11 nëntorit 2025 pranë aeroportit të Rinasit.

Të pandehur për rastin janë marrë ish-drejtuesi i komanduar i AMP-së, Artion Saliasi, dhe drejtori i Financës, Gëzim Sala. Ata akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, shkruan A2 CNN. Sipas hetimit të drejtuar nga prokurori Bledar Valikaj, zyrtarët e AMP-së kanë lejuar punësimin e Mucci Shaljanit si agjent pranë këtij institucioni vetëm pak ditë pasi ai kishte paraqitur kërkesën për punësim.

Hetimi ka provuar se Muçi Shaljani është punësuar në AMP më 15 gusht 2025, me një kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente, në detyrën e ndihmësspecialistit në sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale.

Kontrata e tij e përkohshme 3-mujore ishte nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i komanduar, Artion Saliasi, dhe drejtori i Financës, Gëzim Sala.

Hetimi ka provuar se AMP ka pasur nevoja emergjente për rekrutim punonjësish, si dhe janë konstatuar parregullsi në praktikën dokumentare të aplikimit të Shaljanit.

Për llogari të këtij hetimi, në shkurt, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për të pandehurin Sala, masë që u rrëzua në Apel. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos