Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, gjatë tryezës së organizuar për prezantimin e ndryshimeve në Kodin e Ri Penal, theksoi se Kodi Penal nuk duhet të shihet thjesht si një listë ndalimesh, por si gramatika morale e shtetit dhe pasqyra e ndërgjegjes sonë kombëtare.
“Nuk ka tirani më të egër sesa ajo që ushtrohet nën mburojën e ligjit dhe në emër të drejtësisë,” –duke cituar Montesquieun, kreu i Kushtetueses dha një mesazh të drejtpërdrejtë mbi nevojën për kujdes në legjislacionin penal.
Ajo theksoi se Kushtetuta është kufiri dhe themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet çdo normë penale, ndërsa të drejtat, liritë dhe garancitë kushtetuese janë telajoja ku shkruhen këto norma. “Vetë normat penale janë tregues i nivelit të qytetarisë së një kombi,” – deklaroi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, shkruan A2 CNN.
Në këtë tryezë, ku morën pjesë krerët më të lartë të institucioneve të shtetit, drejtues të organeve të drejtësisë, ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, Zaçaj nënvizoi rolin e Gjykatës Kushtetuese duke theksuar se kjo Gjykatë nuk qeveris dhe as nuk harton ligje. “Detyra e saj është të ruajë Kushtetutën dhe të sigurojë që çdo ligj të matet me standardin më të lartë të drejtësisë.”
“Ju siguroj se kjo Gjykatë nuk është tërhequr kurrë nga kjo përgjegjësi – dhe nuk do të tërhiqet as në të ardhmen,” – përfundoi fjalën e saj Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)