Arrestimet e Çopjës dhe Çelës shënuan gjunjëzimin e një perandorie kriminale, që kishte investuar miliona në resorte turistike, vila, apartamente luksoze, madje edhe në tokë bujqësore në Shqipëri dhe Amerikën Latine.
Franc Çopja, i arrestuar në Dubai në fund të vitit 2023 dhe i ekstraduar në Belgjikë, po gjykohet për vrasje dhe drejtim organizate kriminale. Ndërkohë, Ervis Çela, i cili kishte qenë në arrati për 11 vjet, u kap më 29 qershor të këtij viti në fshatin bregdetar të Qeparoit, duke i dhënë fund një kërkimi shumëvjeçar nga autoritetet shqiptare dhe italiane, shkruan A2 CNN.
Ai është dënuar me 30 vite heqje lirie, ndërsa i kanë mbetur për të vuajtur një dënim prej 21 vjetësh burg për vrasje, rrëmbim, përpjekje për fshehje të trupit, kërcënime, mbajtje të paligjshme të eksplozivëve dhe municioneve, si dhe pengim të drejtësisë, përveç ndonjë dënimi tjetër që mund të marrë për trafikimin e drogës dhe shkelje të tjera lidhur me të. (A2 Televizion)