Pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, kryepolici Hita ka kryer lëvizjet e para të rëndësishme.
Neritan Nallbati është larguar nga detyra si drejtues i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Largimi i tij vjen në të njëjtën ditë kur i përfundon zyrtarisht mandati. Në vend të tij, në krye të Policisë Kriminale është komanduar Arjan Muça.
Nallbati, ndaj të cilit nuk kanë munguar akuzat, drejtoi Departamentin e Policisë Kriminale që prej 1 gushtit 2022, një strukturë kyçe e Policisë së Shtetit që mbulon hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ai konsiderohej si numri dy në polici. Me urdhër të kryepolicit Hita, këtë të premte Nallbati është transferuar në Akademinë e Sigurisë, në Sektorin e Strategjisë, shkruan A2CNN.
Gjithashtu, nga detyra është larguar edhe drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Pëllumb Seferi, të cilit i kishte përfunduar mandati. Edhe ai është transferuar si pedagog në Akademinë e Sigurisë. Në vend të tij është komanduar si drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Artan Barjaktari.
Seferi drejtoi Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare që nga 26 gushti i vitit 2020, duke arritur rezultate të larta. Gjatë drejtimit të tij u thye edhe miti i ekstradimeve nga Dubai i personazheve të botës së krimit. Seferi realizoi mbi 15 ekstradime, duke lënë pas edhe vende të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk kanë kryer ekstradime nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Pëllumb Seferi mban edhe postin e presidentit të Shoqatës së Studentëve të FBI-së për Evropën. Edhe gjatë garës për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Seferi ishte një nga kandidatët potencialë dhe gëzonte mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, megjithëse në fund mazhoranca zgjodhi Skënder Hitën si kryepolic.
(A2 Televizion)