
Gjykata e Posaçme ka vendosur të shuajë masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-ministrin Lefter Koka, lidhur me hetimin për inceneratorin e Fierit. Koka ka qenë në qeli që prej dhjetorit 2021, i akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash në kuadër të aferës korruptive të inceneratorit.
Sipas SPAK, për inceneratorin e Fierit janë paguar 4 milionë euro për punime që nuk janë kryer, ndërsa dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit vlerësohet në 60 milionë lekë. GJKKO ka shuar gjithashtu edhe masën e sigurisë për këtë çështje, teksa dosja është kthyer për rigjykim në Apelin e Posaçëm, pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Në korrik të këtij viti, Koka u lirua me kusht nga Gjykata e Durrësit për inceneratorin e Elbasanit, ku kishte marrë një dënim prej 6 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar. Ndërkohë, për inceneratorin e Fierit ai është dënuar në shkallë të parë me 6.8 vite, dhe për atë të Tiranës me 2 vite burg. Në rastin e Tiranës, masa e sigurisë “arrest në burg” është shuar pasi koha e paraburgimit e ka ezauruar plotësisht dënimin.
(A2 Televizion)