“Ma ktheni dot djalin!?” Babai i Andi Malokut "përplaset" me Plaurent Dervishajn

Nga Armand Bajrami
3 Tetor 2025, 23:24 | Kronikë

Genci Maloku, babai i Andi Malokut, i vrarë në atentatin e nëntorit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, u përball të premten në Gjykatën e Posaçme me Plaurent Dervishajn, një nga të akuzuarit e SPAK për krimin.

Përveç atentatit, Dervishaj akuzohet nga SPAK se kishte siguruar kushte edhe për vrasjen e babait të Andi Malokut, për shkak se kërkonte drejtësi në institucionet shtetërore për autorët e vrasjes së të birit, shkruan A2.

Nga tavolina e dëshmitarit, në një gjendje të rënduar emocionale, dëshmitari Genc Maloku rrëfeu telefonatën me të birin menjëherë pas ngjarjes.

“Jam keq o babë, më tha, më kanë gjujt”. Dëshmitari tha se i biri ndërroi jetë një javë më vonë, ndërsa tregoi takimet me ish-prokurorin Ndoja, por edhe Lahon, i njohur si “Rrumi” i Shijakut, të dy të plagosur në ngjarje.

“Rrumi” ma ka thënë i pari, pasi doli nga spitali se e ka porositur Plarent Dervishaj”, tha Maloku në përgjigje të pyetjeve të avokatit të Dervishajt.

“Nuk kishte motiv me djalin tim. S’kishte pse qëllohej. Dihet kush ishte motivi”, vijoi ai.

“As Rrumi, asnjeri nuk më intereson. Mua më ka ikur djali 23 vjeç. Ma kthen ti dot djalin? Ma kthen?! Normal që nuk ka qenë djali im objektivi”, tha më tej Genci Maloku.

Më tej, i pandehuri Dervishaj i shprehu keqardhje dëshmitarit për humbjen e të birit, ndërsa Maloku i tregoi gjykatës edhe një sms kërcënues i mbërritur në telefonin e tij me tekst “Si shpesh shkon nga prokuroria”, nën emrin e Dervishajt, fakt që e kishte denoncuar në Polici.  

“Mirë për djalin të vika keq, po mua pse donit të më vrisnit? Nuk e kuptoj, nuk ju kemi bërë asgjë”, tha dëshmitari.  

“Hajde më tako dhe ta sqaroj”, i tha i pandehuri nga kafazi, ndërsa dëshmitari vijoi ta pyesë pse i kishte vrarë djalin, ndërsa gjykata urdhëroi shoqërimin jashtë sallës të dëshmitarit.

Në seancën e së premtes, u dëgjua edhe dëshmia e Klodiana Shytit, ish-bashkëjetuese e Arben Mërkurit, të njohurit me nofkën “Maneci”, i vrarë në maj të vitit 2022. Shyti rrëfeu se nuk njihte asnjë mik të parterit të saj, se nuk e dinte që ai të ishte i përfshirë në vrasje me pagesë dhe se edhe nofkën e tij e kishte dëgjuar vetëm në media.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos