Një automjet tip “Ford” është përfshirë nga flakët mesditën e sotme në autostradën Lushnje–Fier, pranë zonës së njohur si “Pushimi i Shoferit”.
Ngjarja ka ndodhur teksa mjeti ishte në lëvizje, duke shkaktuar panik te drejtuesi dhe dy pasagjerët, të cilët kanë mundur të dalin në kohë nga makina dhe kanë shpëtuar pa lëndime.
Flakët kanë përfshirë të gjithë automjetin brenda pak minutash, ndërsa nuk dihen ende shkaqet e zjarrit. Paraprakisht dyshohet se kemi të bëjmë për një defekt në sistemin elektrik të mjetit.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve të Lushnjës, mjeti është djegur plotësisht. Si pasojë e ngjarjes dhe ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse, në aksin nacional janë krijuar radhë të gjata automjetesh.
Policia Rrugore ndodhet në vendngjarje për të menaxhuar trafikun, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. (A2 Televizion)