Refuzimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për t’u paraqitur në SPAK në orën 11:00 të së mërkurës, për t’u njohur zyrtarisht me akuzat, e vonoi vetëm me 2 orë marrjen e tij si të pandehur.
Mes një deklarate, Veliaj shprehte vendimin personal për të mos shkuar në SPAK e në këto kushte vetë SPAK shkoi në burgun e Durrësit. Rreth orës 13:00, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në prezencë edhe të avokatit Ermir Beta, kontaktuan Veliajn në paraburgim, ku i komunikuan përfundimin e hetimit dhe ngritjen ndaj tij të akuzave “korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së mosdeklarimit të pasurisë” dhe “futje e sendeve të ndaluara në burg”.
Akuza e fundit ka lidhje me përdorimin nga Veliaj të telefonit të një prej policëve të Burgjeve, teksa po shoqërohej nga paraburgimi i Durrësit në Gjykatën e Apelit të Posaçëm për seancën e masës së sigurisë. Më herët, gjatë së mërkurës, SPAK mori të pandehur për tre vepra penale bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa.
Në takimet me agjentët e BKH në burg e në SPAK, Veliajt dhe bashkëshortes iu komunikua edhe fakti se SPAK ka shtrirë deri në 24 shtator afatin e hetimit, duke vendosur këtë limit kohor për depozitimin e dosjes në gjykatë. Në të njëjtën ditë, SPAK i komunikoi akuzën e “fshehjes së të ardhurave” biznesmenit Mirton Lika dhe akuzën e “korrupsionit”, biznesmenit Genti Sula.
Për llogari të të njëjtit hetim, të hënën iu komunikua akuza e “pastrimit të parave” biznesmenit Elman Abule, ndërsa në vijim pritet që në SPAK të mbërrijnë edhe 4 biznesmenë të tjerë, të dyshuar për “korrupsion”.
Erion Veliaj qëndron në qeli prej 10 shkurtit dhe në vijimësi ai ka mohuar me forcë çdo akuzë apo pretendim të SPAK kundër tij. (A2 Televizion)