Masakra në Dobraç, Proda: Shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete

Nga Xhensila Kodra
13 Nëntor 2024, 23:16 | Kronikë

Masakra me 4 të vrarë në Dobraç të Shkodrës është drejt zbardhjes. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nga Komisioni i Sigurisë dha garanci se policia do të flasë me rezultate konkrete.

“Me garanci po ju them se shumë shpejt për atë ngjarje do të kemi rezultate konkrete”, deklaroi Proda, shkruan A2 CNN.

Kryepolici pranoi se situata e krimit nuk është problematike vetëm në Shkodër, por edhe në qytete të tjera: “Flasim për mungesa të theksuara të aftësive profesionale të oficerëve të policisë kriminale. Kjo është një gjë e vërtetë dhe unë nuk mund të vij si struci këtu, të fshihem e të them që situata është rozë. Është problematike situata”.

Deputetët e opozitës hodhën akuza se emërimet e reja të drejtorëve të policisë në qarqe po bëhen nga krimi. Kreu i policisë dha garanci për ta, ndërsa nuk kurseu as ironinë e batutën: “Garantoj që ata që kanë fituar të drejtën për t’u emëruar janë njerëz me kontribute, për të cilët jap garanci maksimale. Nuk më vjen mirë që diskutohet që grupet kriminale kanë mundësi të emërojnë. Po më duket vetja sikur edhe konkursi për përzgjedhjen time është bërë te 313”.

Ndërsa akuzave të deputetit Flamur Noka se ai ka lidhje me krimin, Ilir Proda iu përgjigj kështu: “Unë kam kaluar filtrin e të gjitha institucioneve për t’u zgjedhur drejtor. Unë kam qenë oficer i zyrës së vrasjeve kur ju keni qenë ministër i Brendshëm dhe ka qenë viti me numrin më të lartë të vrasjeve në Shqipëri, por unë nuk ju gjej juve përgjegjës, e gjej përgjegjësinë te vetja që kam qenë i paaftë t’i parandaloj dhe i paaftë për të zbuluar shumicën prej tyre”.

Në komision, Proda diskutoi për buxhetin e Policisë së Shtetit për vitin 2025. Policia kërkoi rritjen e buxhetit me 22% krahasuar me 2024, rreth 25 miliardë lekë. Sipas Prodës, 50% e makinave të policisë janë të amortizuara. Ai tha se po marrin mjete me qira dhe se duhen rreth 700 makina për t’u blerë. Një pjesë e buxhetit, tha ai, do të duhet për të paguar orët shtesë dhe ato të natës së punonjësve të policisë, e deri tek rikonstruksionet e disa prej komisariateve në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos