Mbërrijnë nga Dubai në Shqipëri 3 të shumëkërkuarit, akuzohen si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale

Nga A2 CNN
19 Qershor 2025, 23:15 | Kronikë

Janë ekstraduar mbrëmjen e të enjtes, pak para mesnate, nga Dubai në Shqipëri, 3 shtetas të akuzuar nga GjKKO-ja, si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe si përkrahës të një shtetasi të shumëkërkuar, raporton A2 CNN.

3 shtetasit e ekstraduar, Aldo Xhika, alias Aldo Cërriku, Ervis Daka dhe Maksim Koçi, u kapën disa javë më parë, nga Policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.   

“Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Ëanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar: 

-Ervis Daka, 38 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-Maksim Koçi, 39 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-Aldo Xhika, 40 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal”, tha policia.

Të tre shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos