Me kanabis dhe thikë në makinë, arrestohet në sy të vajzës së mitur

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2025, 10:43 | Kronikë

Arrestimi i një babai në Vlorë është filmuar në kamera nga vajza e tij e mitur, e cila dëgjohet teksa qan me të madhe gjatë gjithë kohës.

Shtetasi L.SH ka qenë në makinën e tij kur efektivi i policisë ka kërkuar ta shoqërojë, por ai nuk ka pranuar të dalë nga mjeti dhe ka shtrënguar dorën fort në timon. Në video dëgjohet vajza që bërtet e traumatizuar për mos t’i marrë të atin.

Policia sqaroi se shoqërimi i personit në fjalë është bërë sepse përveç shkeljes rrugore, gjatë kontrollit në mjet i është gjetur një sasi lëndë narkotike dhe një thikë.

“Punonjësi i Policisë është hasur fillimisht me kundërshtim me fjalë dhe më pas me kundërshtim me veprime të dhunshme nga shtetas L. Sh. Në këto kushte, është bërë menjëherë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë, për veprime të mëtejshme”, thotë policia.

Në përfundim të veprimeve procedurale, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë, nisi procedimi penal në ngarkim të shtetasit L. Sh., 45 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos