Media italiane, "La Stampa" shkruan se nga 41 persona të transferuar nga Italia në qendrën e emigrantëve në Gjadër, aktualisht ndodhen vetëm 25. Këtë fakt e kanë bërë të ditur eurodeputetja Cecilia Strada dhe deputetja e Partisë Demokratike italiane, Rachele Scarpa, të cilat kryesuan një delegacion gjatë një vizite në Shqipëri.
"Dhe ku janë 16 të tjerët?", pyesin ato, duke theksuar se nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar, pavarësisht kërkesave dhe akseseve në dokumentacion, shkruan “La Stampa”.
Sipas të dhënave të mbledhura nga burime publike dhe avokatët, dyshohet se: një person u kthye në Itali menjëherë pa hyrë në qendër, gjashtë persona u rikthyen për mungesë të konfirmimit të ndalimit, pesë të tjerë për arsye shëndetësore dhe katër janë deportuar drejt vendeve të origjinës.
Strada dhe Scarpa kritikuan këtë procedurë si një "vuajtje e panevojshme" për emigrantët dhe një "shpenzim i kotë" për autoritetet. (A2 Televizion)