Meta 3 orë përballje me SPAK: Hetime të fabrikuara, të hetohet kush bëri pagesat

Nga Xhensila Kodra
4 Gusht 2025, 19:09 | Kronikë

Ish-presidenti Ilir Meta la qelinë e paraburgimit 313 dhe u paraqit mesditën e së hënës në Prokurorinë e Posaçme, ku iu komunikua mbyllja e hetimeve për dy dosjet, ajo e aferës korruptive CEZ-DIA dhe e lobimit të LSI në SHBA.

Ajo që u mendua si një seancë e shkurtër ku pritej vetëm firma e ish-presidentit të Republikës për mbylljen e hetimeve, në të vërtetë  mori plot 3 orë. Bashkë me të ishte e dhe avokati mbrojtës, Kujtim Cakrani, i cili në përfundim deklaroi për mediat se prokurorët nuk u dhanë asgjë të re, tek asnjëra prej dosjeve që Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

“Edhe pas 6 vitesh hetimesh për çështjen CEZ-DIA nuk ka asnjë gjë të re, apo për lobimin. Zoti Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe ka kërkuar nga prokuroria hetime të thelluara për të zbuluar kush ka kryer pagesat për lobimin. Prokurorja nuk ka informacion nga kanë dalë pagesat, nga cila bankë kanë hyrë dhe nga cila llogari”.

Avokati theksoi se betejën do e vijojnë në gjykatë me proces të zakonshëm dhe jo të shkurtuar, çka pritet të jetë një proces i gjatë gjyqësor.

“S’ka prova që të vërtetohet se rëndojnë akuzat mbi z. Meta. Nuk ka fakt penal. Organi i procedurës thotë që ta zgjidhim në gjykatë. Do shkojmë në gjykim të zakonshëm”, deklaroi avokati i Metës.

Ashtu sikurse deklaroi edhe avokati i tij, edhe vetë Meta thekson se ka ngritur me forcë kërkesën për të hetuar se kush kishte bërë pagesat e paligjshme për llogari të ish-LSI për kompaninë në SHBA dhe se kujt ia dërgonte faturat për t’u aprovuar në partinë e Lirisë, kompania GSIS.

Ilir Meta ndodhet në qeli që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, ndërsa zyrtarisht akuzat iu komunikuan në muajin maj, kur dhe u mor i pandehur.

Më herët SPAK mbylli hetimet edhe për ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatimen, si dhe dy bashkëpunëtorëve të tyre, Ema Çoku dhe Piro Xhixho. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos