Një konflikt i dhunshëm mes disa personave ka ndodhur ditën e sotme në Tiranë.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur në zonën e Freskut në kryeqytet dhe konflikti ka nisur për motive pronësie.
Policia shpalli në kërkim shtetasin Saimir Allushi, si dhe procedoi penalisht për ngjarjen shtetasit Sindi Allushi dhe Pajtim Allushi.
Këta shtetas kanë kanosur përmes telefonit dhe kanë sulmuar me grushta një tjetër shtetas me inicialet D.K.
Ndërkohë një punonjës policie u pezullua nga detyra dhe ndaj tij nisën procedurat disiplinore, për shkelje të rëndë dhe mosveprim gjatë konfliktit.
Teksa vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë nr. 4, në përfundim të veprimeve proceduriale, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. A. 33 vjeç, dhe S. A., 52 vjeç si dhe shpallën në kërkim shtetasin S. A., 27 vjeç.
Paraditen e sotme, në zonën e Freskut, shtetasit S. A., 27 vjeç dhe kushëriri i tij, shtetasi P. A., për motive pronësie, kanë goditur me grushte shtetasin D. K.
Gjithashtu, dyshohet se shtetasi S. A. 52 vjeç, ka kanosur, nëpërmjet telefonit, shtetasin D. K.
Punohet për kapjen e shtetasit S. A., si dhe për gjetjen dhe bllokimin e automjetit me të cilin ai u largua nga vendi i ngjarjes.
Në lidhje me këtë rast, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka urdhëruar pezullimin nga detyra dhe nisjen e procedurave disiplinore ndaj punonjësit të Policisë, inspektor P. M., për shkelje të rëndë, për mosveprim.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)